Kerko Mesazhet ketu

Sunday 30 September 2012

Urrejtja është shkaku i gjithë ligësisë në botë dhe ajo merr shumë forma

E Diel, 26 Gusht 2012, në 18:30

Bija Ime fort e dashur, urrejtja është shkaku i gjithë ligësisë në botë dhe ajo merr shumë forma.

Armiqësia kundrejt një personi tjetër buron nga frika, frika se mos ky person mund t’ju lëndojë në ndonjë mënyrë.

Mosmarrëveshjet me një person tjetër mund të vijnë për shkak të mëkatit të krenarisë. Kjo ndodh kur ju e ndjeni se duhet ta provoni vlefshmërinë tuaj, me çdo kusht, madje edhe kur e keni gabim.

Xhelozia shumë shpejt kthehet në urrejtje edhe pse mund të jetë e butë si fillim.

Mospëlqimi i vetvetes fillon sepse ju e krahasoni jetën tuaj me të tjerët që ju e ndjeni se kanë pasur më shumë fat se ju.

Shumë shpejt ky mospëlqim zhvillohet në urrejtjen e vetvetes dhe të trupit. Kjo pastaj çon në mëkatet e mishit.

Urrejtja gjithashtu mund të zhvillohet për shkak të mëkatit të lakmimit të gjërave të të tjerëve.

Kjo mund të çojë në luftëra kur një shtet lakmon pasuritë e një shteti tjetër.

Ose ajo do të thotë se e lejoni lakminë që t’ua konsumojë shpirtin tuaj, kur ju kërkoni të njëjtat pasuri të botës si fqinji juaj.

Lakmia gjithashtu kthehet në një formë urrejtjeje sidomos kur, pavarësisht se sa shumë përpiqeni ta imitoni një tjetër, ju nuk arrini të përmbushni atë që keni vendosur të bëni.

Të gjitha mëkatet, nëse lejohen të përkeqësohen, mund t’ju çojnë drejt urrejtjes.

Kur ju ndjeni urrejtje, ju duhet ta dini se Satani ia ka arritur ta pushtojë shpirtin tuaj.

Kur kjo ndodh, ai do t'ju mbajë në një mbërthim të ngjashëm me vesin e keq dhe nuk do t'ju lërë të qetë.

Pavarësisht se sa shumë ju të përpiqeni për t'u çliruar nga mbërthimi i tij, ai do të kapet pas jush për jetën. Arma juaj e vetme është lutja. 

Lutuni, lutuni, lutuni kur urrejtja ju përfshin të tërin. Sepse derisa të largohet prej jush, ju kurrë nuk do të ndjeni paqe, dashuri apo gëzim, përsëri.

Kur urrejtja jua mbërthen zemrën dhe shpirtin, ju largoheni një hap më shumë nga Unë, Jezusi juaj.

Ju vuani tmerrësisht dhe ndjeni një zemërim dhe një gjendje pafuqie të cilën ju nuk mund ta kontrolloni.

Kurrë mos e besoni gënjeshtrën finale që Satani do ta mbjellë në shpirtin tuaj, kur ai të ketë hedhur një mantel urrejtjeje mbi ju.

Gënjeshtra është kjo: “Urrejtja juaj mund të zhduket vetëm kur të kërkoni hakmarrjen finale mbi shënjestrën e urrejtjes suaj.”

Çfarë të bëni kur urrejtja ju mbërthen? Fuqia e dashurisë mund ta zhdukë urrejtjen në çast.

Kur ju luteni dhe më kërkoni Mua që t'ju ndihmoj, përgjigja Ime do të jetë kjo.

Falini kundërshtarët tuaj dhe ata që ju besoni se janë shkaku i urrejtjes tuaj.

Por për të falur, ju duhet ta përulni veten para Meje dhe të më kërkoni Mua që t’ju fal juve më parë.

Kur t’i keni falur ata që i urreni, ju më pas duhet të bëni shlyerje për mëkatin tuaj.

Tregoni dashuri ndaj kundërshtarëve tuaj. Luftojeni urrejtjen, sëmundjen e ligë dhe të rrezikshme të shpirtit, me dashurinë.

Dashuria është kura për t’jua pastruar shpirtin nga kjo sëmundje.

Kur ju të arrini që ta bëni këtë, ju do ta keni mundur Satanin dhe ai do t'ju lërë të qetë.

Kurrë mos kini frikë për ta luftuar urrejtjen në shpirtin tuaj edhe pse do ta ndjeni shumë të vështirë.

Nëse urrejtja do të mund të dobësohej në këtë mënyrë, përmes përulësisë së mëkatarit, paqja do të mbretëronte në botë.

Jezusi juaj