Tuesday, 11 August 2015

Madje dhe grupet e vogla të lutjes së Mëshirës Hyjnore mund të shpëtojnë miliona

E Shtunë, 16 Prill 2011, në 22:45
Bija Ime e dashur, koha për Paralajmërimin tani është afër dhe do të ndodhë me shpejtësi sa hap e mbyll sytë. Gjithkush do të ndalojë hapat ndërsa do të dëshmojnë Mëshirën Time të Madhe. Lutuni për të gjithë ata në mëkat mortor, si një përparësi. Ata kanë nevojë për lutjet tuaja, sepse shumë prej tyre do të bien të vdekur nga tronditja kur të shohin tmerrin e ligësive të ndyra që ata kanë kryer, ashtu siç shihen përmes Syve të Mi. Duke lutur Mëshirën Hyjnore mund të shpëtoni miliona madje edhe nëse është vetëm një grup i vogël i ndjekësve të dashur e të përkushtuar.
Unë nuk do të jap një datë, bija Ime, për këtë Ngjarje të Madhe. Por të jesh e sigurt se koha është tani afër, ndërsa ligësia vazhdon të rritet pa kufi nëpër mbarë botën, po ashtu edhe Dora e Atit Tim do të bjerë ngado. Ai nuk do të rrijë duarkryq dhe t’i lejojë këta mëkatarë të ligj, në bashkëpunim me Satanin, që t’i shkatërrojnë apo t’i infektojnë më tej fëmijët e Mi. Turp të kenë ata mëkatarë të dhënë pas vetvetes, të cilët Unë prapë i dua pavarësisht nga njolla e keqe e mëkatit të tyre. Unë ju kërkoj që të luteni për faljen e mëkateve të tyre, tani.
Ndërsa Paralajmërimi do të ndodhë tani, po ashtu edhe katastrofat ekologjike do të bien mbi njerëzimin. Lutja është e vetmja armë e juaja tani, fëmijët e Mi, për të shpëtuar veten dhe njerëzimin nga flakët e Ferrit. Kur Paralajmërimi të mbarojë, paqja dhe gëzimi do të mbretërojnë. Dhe pastaj persekutimi nga Aleanca e Re Botërore do të fillojë. Fuqia e tyre do të dobësohet nëse mjaft nga ju përhapin kthimin në besim dhe luten fort.
Mos kini frikë, ndjekësit e Mi të dashur, ju do të punoni së bashku për t’u lutur për shpëtimin e njerëzimit. Dhe ju do të shpëtoni miliona shpirtra në vazhdim.
Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti

Monday, 10 August 2015

Çfarë ju do të përjetoni gjatë Paralajmërimit dhe Lutje për falje në çast

E Shtunë, 16 Prill 2011, në 10:00
Bija Ime e dashur, lëviz shpejt për ta shtuar vetëdijen rreth Mesazheve të Mia, sepse Paralajmërimi është pothuajse përmbi botë. I thuaj atyre shpirtrave që refuzojnë të luten, ta hedhin poshtë krenarinë dhe mospëlqimin e tyre dhe të kthehen tek Unë tani për të kërkuar falje. Të jesh e qartë se shumë, shumë shpirtra nuk do të mbijetojnë në këtë ngjarje të pashmangshme. Shumë nga këta shpirtra janë thjesht dembelë dhe ndërsa ata, pas gjithë këtyre, besojnë në Hyjin Atin e Përjetshëm, ata mendojnë se në njëfarë kohe në të ardhmen ata do të merren me besimet e tyre shpirtërore. Por do të jetë tepër vonë.
Tregoji botës se kjo ngjarje do t’i shpëtojë ata. Shumë do të pendohen gjatë kësaj Përvoje Mistike. Ata do të ndjejnë një ndjenjë djegieje të brendshme, jo të ndryshme nga ajo që përjetohet nga shpirtrat në purgator. Kjo do t’iu japë atyre një ide se çfarë iu duhet të përjetojnë shpirtrat, që nuk janë plotësisht të pastër, përpara se ata të mund ta shohin Dritën e Lavdishme të Qiellit. Thjeshtë duke e pranuar se kjo ngjarje mund të ndodhë, ata mund t’i mbijetojnë asaj. Kthehuni tek Unë dhe thoni:
“Të lutem më drejto drejt Dritës dhe Mirësisë së Mëshirës Tënde të madhe dhe më fal mua për mëkatet e mia.”
dhe Unë do t’ju fal në çast. Pastaj pas Paralajmërimit ju do të përjetoni një paqe dhe gëzim të thellë në shpirtin tuaj.
Të rinjtë e kanë për turp që të luten
Shumë njerëz në botë sot refuzojnë të luten. Shumë të rinj në veçanti e shohin si të turpshme dhe jashtë mode. Ata gabimisht besojnë, se po, ndërsa mbajnë një besim në Hyjin, lutja është e panevojshme. Kjo nuk është e vërtetë. Ajo është thelbësore me qëllim që të hyni në Parajsën që ju do ta dëshironi shumë pas vdekjes. Nëse ju qëndroni në mëkat ju nuk mund ta shijoni këtë festë të lavdishme. Ashtu si ata nga ju që qëndroni në formë të mirë fizike, kujdeseni për trupin, shikoni me kujdes se çfarë hani dhe jeni elegantë, po ashtu ju duhet ta përgatisni shpirtin tuaj në këtë mënyrë. Pa i kushtuar vëmendje me kujdes gjendjes së shpirtit tuaj, ai do të bëhet i dobët dhe do t’i mungojë ushqimi i duhur për të siguruar se është në formë të përsosur.
Lutje për t’u thënë për kthimin e të tjerëve
Për shkak të dobësisë së besimit mes atyre në botë që janë besimtarë, ata prej jush që janë të fortë në besim kanë një përgjegjësi të madhe tani. Ju duhet të thoni këtë lutje kthimi për të tjerët.
“Unë të thërras Ty, Jezus, në Mëshirën Tënde Hyjnore, që t’i mbulosh ato shpirtra të vakët me Gjakun Tënd të Çmuar që të mund të kthehen në besim.” 
(E thoni këtë lutje të shkurtër në emër të atyre, që ju besoni se kanë nevojë më shumë.)
Mbajeni mend, fëmijë, premtimin Tim të lavdishëm. Unë do të Triumfoj në fund. Satani, mashtruesi, thjesht nuk mund të mbijetojë. Ju lutem të më lejoni Mua që t’ju mbroj dhe t’ju marr me Vete. Mos ia jepni shpirtin tuaj Satanit. Unë ju dua të gjithëve. Vazhdoni të më kërkoni Mua që t’jua forcoj besimin tuaj çdo ditë.
Shpëtimtari juaj Hyjnor
Mbreti i Mëshirës dhe i Dhembshurisë
Jezu Krishti

Zgjohuni ndaj të Vërtetës para se të jetë tepër Vonë

E Premte, 15 Prill 2011, në 23:00
Bija Ime e dashur, ti duhet t’i thuash botës se duhet t’i përmbahet Vullnetit Tim Më të Shenjtë, nëse njerëzimi e dëshiron jetën e përjetshme. Kjo botë, edhe pse ka shumë për të ofruar, kurrë nuk do ta kënaqë urinë tuaj. Po të mos ishte për mëkatet e prindërve tuaj të parë, Adamit dhe Evës, atëherë po, do të kishte qenë e mundur të jetonit në lumturinë e përjetshme pa asnjë pengesë në udhën tuaj. Për shkak se mashtruesi është kudo, ai nuk do ta lërë asnjërin nga ju që ta planifikojë jetën e tij drejt Meje. Dinak, gënjeshtar, ai vazhdimisht do të përpiqet të sigurojë që ju të bini në mëkat përmes mënyrave të ndryshme të joshjes. Megjithatë, ai do ta ketë shumë të vështirë, t’ju vërë në shënjestër nëse jeni në gjendje hiri, të arritur përmes Rrëfimit dhe Sakramentit të Bekuar.
Rruzarja e Shenjtë është në veçanti efektive kundër Satanit për arsye të fuqive të dhëna Virgjërës së Bekuar, Nënës Sime, nga Hyji Ati i Përjetshëm. Ajo ka fuqi të pamasë mbi mashtruesin. Ai është i pafuqishëm kundër saj dhe ai e di këtë. Nëse ju e lejoni Nënën Time të Shenjtë t’ju drejtojë drejt hireve për të cilat ajo mund të ndërhyjë, në emrin tuaj, atëherë ju do të qëndroni të paprekur ndaj influencës së tij.
Ndërsa njerëzit sot përpiqen drejt lumturisë dhe paqes mbi këtë tokë, ata kërkojnë një formulë sekrete. Këtu ata e kalojnë kohën duke u përpjekur të shkyçin sekretin e lumturisë, përfitimit material dhe paqes në jetët e tyre. Ata dalin me mënyra, ide të reja, të gjitha këto të reklamuara përmes skemash për t’u bërë të pasur. Pavarësisht nga të gjitha argumentet që ata paraqesin, shumë prej të cilave janë të bazuara mbi idealizmin e krijuar psikologjikisht, thjesht nuk është e mundur të gjeni paqe dhe gëzim në jetët tuaja nëse nuk besoni në Hyjin Atin e Përjetshëm. Ai është i vetmi Dhurues i Jetës. Pa u afruar tek Ai, ju do të jeni të zbrazët në shpirt. Ata prej jush, që shpenzojnë shumë kohë të konsiderueshme duke u përpjekur të përgënjeshtrojnë Ekzistencën Time, e harxhojnë kohën e tyre duke ndjekur ëndrra, që kurrë nuk do të japin fryt.  Refuzimi juaj kokëfortë për ta pranuar Krijuesin tuaj, Qenien Supreme i Cili e krijoi këtë botë, do t’ju çojë në një humnerë të errësirës së përjetshme. Shumë njerëz si ju, të cilët shkuan deri aty sa ta mohojnë Ekzistencën e Hyjit, në jetën e tyre, duke përhapur gënjeshtrën se nuk ka një gjë të tillë si Hyji Atë, për fat të keq, tani janë në thellësitë e Ferrit sipas zgjedhjes së tyre. Mos e lejoni këtë që të ndodhë tek shpirtrat tuaj; ku ata që përfundojnë në Ferr, digjen sikur të ishin akoma prej mishi. Sa qesh Satani me injorancën tuaj. Kur ju e mohoni Hyjin, ju mohoni të drejtën tuaj ndaj lumturisë së përjetshme. Po kjo lumturi e përjetshme është ajo që ju e kërkoni pa pushim në këtë botë. Por ajo nuk mund të arrihet në Tokë.
Kurrë mos e jetoni jetën tuaj në Tokë sikur kjo të ishte e vetmja pjesë e ciklit të ekzistencës suaj, sepse nuk është. Shtëpia juaj e vërtetë do të jetë në Parajsë me Mua.
Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti

Saturday, 8 August 2015

Si të siguroni që familja dhe miqtë tuaj të mund të hyjnë në Parajsë

E Premte, 15 Prill 2011, në 15:30
Bija Ime e dashur, Unë gëzoj sepse kaq shumë ndjekës të Mi të mirë dhe të devotshëm mblidhen së bashku gjatë Javës së Shenjtë, si një trup i vetëm, për të nderuar Sakrificën që Unë bëra për të gjithë. Një Sakrificë që Unë përsëri do ta ofroja me dëshirë nëse do ta shpëtonte çdonjërin prej jush. Dashuria Ime është e thellë për çdo person në botë, ku secili u krijua prej Vullnetit të Shenjtë të Hyjit Atit të Përjetshëm, Krijuesit të njerëzimit. Të gjithë ju mbani një vend shumë të veçantë në Zemrën Time, madje edhe ata prej jush që nuk më njihni Mua.
Nëse do ju premtohej një jetë mbi këtë Tokë që t’ju ofronte pasuri dhe lumturi, shumë nga ju do të kërcenit tek kjo mundësi. Kaq të dëshpëruar jeni ju për të kënaqur aspiratat tuaja të trupit. Nëse njerëzve do t’iu ofrohej Parajsa në Qiell, ata do ta kishin të vështirë për ta imagjinuar. Unë e kuptoj këtë. Për shpirtin e vakët, atij do t’i duhet një imagjinatë e gjallë për ta marrë me mend këtë vend të lavdishëm. Ai gjithmonë do të përpiqet për ta imagjinuar këtë vend të lavdishëm. Të vetmit shpirtra që munden janë ata me një besim të fortë në Ekzistencën e Hyjit. E vetmja mënyrë për ta kuptuar me të vërtetë xhevahirin që e pret secilin prej jush është që të forconi besimin tuaj. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që të luteni fort për të parë të Vërtetën, Dritën, të ardhmen e shndritshme që i pret të gjithë ata që e nderojnë Hyjin Atin e Gjithëpushtetshëm. Besimtarë, ju duhet të luteni për miqtë, bashkëshortët, të afërmit, prindërit, vëllezërit, motrat dhe fëmijët tuaj që kanë pak besim. Lutja Ime e Mëshirës Hyjnore, kur recitohet nga ju në emër të tyre do t’i shpëtojë shpirtrat e tyre. Ky është premtimi Im për ju tani.
Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti

Hire të veçanta ju premtohen nëse e thërrisni Jezusin për vetëm një ditë

E Enjte, 14 Prill 2011, në 11:00
Bija Ime e dashur, faleminderit që po përkushton më shumë kohë ndaj kësaj Pune Më të Shenjtë. Koha ka ardhur që të gjithë ju t’i hapni zemrat tuaja ndaj Meje, vetëm për një ditë, për të më dhënë Mua mundësinë t’ju mbush me hire të veçanta. Këto hire do të hidhen tani mbi ata prej jush që e kanë harruar se Unë Ekzistoj, ndërsa koha po afron për Të Premten e Madhe.
Ndërsa koha për Novenën e fuqishme të Mëshirës Hyjnore po afron, kjo kohë do të përdoret për t’i vërshuar shpirtrat tuaj me një Dhuratë të veçantë nga Unë. Bëni tani ashtu si them Unë, dhe lutuni me fjalët tuaja, tek Unë sot. Hiret që Unë do t’ju jap jo vetëm që do t’ju sjellin më pranë Zemrës Sime të Shenjtë, por do t’ju mbushin me Shpirtin e Shenjtë. Bëni lutjen e Novenës (Nëntë-ditëshit) nga e Premtja e Madhe dhe përfshini sa më shumë shpirtra të mundeni dhe Unë do ta shpëtoj gjithsecilin.
Për ata prej jush që mbeten prapa, madje edhe pas përkushtimit ndaj Meje, Unë do t’ju ngre përsëri. Kurrë mos kini frikë të ktheheni tek Unë nëse largoheni. Unë kurrë nuk do t’i braktis ata që vazhdojnë të kthehen tek Unë. Si mëkatarë, kjo do të tentojë të ndodhë. Kurrë mos kini frikë, Unë Jam duke qëndruar përkrah jush gati për t’ju përqafuar çdo herë. Mëkati mund të falet. Kurrë mos u ndjeni fajtorë për mëkatin nëse ju duhet të ktheheni tek Unë për të kërkuar falje. Unë Jam gjithmonë atje.
Fëmijët e Mi, përdoreni Javën e Shenjtë për t’i kujtuar të gjithë për Sakrificën që Unë bëra për mëkatarët. Dhembshuria Ime është akoma e fortë. Ajo kurrë nuk është dobësuar për shpirtrat, madje edhe për ata mëkatet e të cilëve më shkaktojnë Mua fyerje të thellë. Nëse një shpirt kërkon falje, atëherë ai mëkat do të hiqet. 
Novena Ime e Mëshirës Hyjnore do të japë hiret më të fuqishme kur të recitohet nga e Premtja e Madhe deri në Festën e Mëshirës nëntë ditë më vonë. Duke e recituar këtë ju jo vetëm që do të shpëtoni shpirtrat tuaj por miliona të të tjerëve. Bëjeni këtë për Mua.
Shpëtimtari juaj Hyjnor përherë i dashur dhe besnik
Jezu Krishti

Unë Jam i Pranishëm në Eukaristi pavarësisht nga keqinterpretimi i Premtimit Tim

E Enjte, 14 Prill 2011, në 00:05
Bija Ime fort e dashur, mos u shqetëso. Ti po përmirëson në mënyrën se si po e cakton kohën për t’u lutur tek Unë. Tani është e rëndësishme që njeriu ta kuptojë se për t’u afruar më pranë Zemrës Sime, ai duhet ta kuptojë nevojën për të marrë Sakramentin e Eukaristisë Më të Shenjtë.
Shumë njerëz, përfshirë grupet e tjera të Krishtera, e mohojnë Praninë Time të Vërtetë në Eukaristi. Se përse ata kanë vendosur t’i mohojnë premtimet që Unë bëra në Darkën Time të Fundit, ku Unë premtova se do të jepja Trupin dhe Gjakun Tim si Bukë dhe Ushqim për shpirtrat tuaj, është e paqartë. Çfarë është e qartë është se Mrekullia e Eukaristisë së Shenjtë, e Pranishme në të gjithë Tabernakujt në mbarë botën, Ekziston sot, dhe është atje për t’i mbushur shpirtrat tuaj të gjorë, të paushqyer dhe të zbrazët me Praninë Time. Kjo Prani do t’ju forcojë në mënyra të tilla që, po të mos më merrnit Mua një herë e mirë që ju të jeni mësuar me të, ju do të ndjeheni të humbur.
Shumë të Krishterë e shpërfillin një nga premtimet më themelore që Unë bëra gjatë Kryqëzimit Tim, ku Unë do të isha i Pranishëm në Bukë dhe Verë dhe do të linja një shenjë të përhershme për të ndihmuar në ushqimin e shpirtrave. Arsyetimi i tepruar njerëzor ka bërë që Unë të jem i refuzuar madje edhe nga të Krishterët dashamirës. Të njëjtët të Krishterë nuk mund ta marrin Eukaristinë e Shenjtë në Formën e saj të Vërtetë. Eukaristia Më e Shenjtë ju qe dhënë të gjithëve si një Dhuratë e madhe për shpengimin dhe shpëtimin tuaj. Duke e refuzuar faktin se Unë Jam i Pranishëm, do të thotë se ju po humbisni hire të veçanta, që janë pjesë e një pakti për të më sjellë Mua edhe më pranë në zemrat tuaja. Dijeni, kur Unë vdiqa për ju, ishte për t’ju çuar drejt jetës së përjetshme dhe shpëtimit. Më merrni Mua si Prania e Gjallë dhe shpirtrat tuaj do të ndriçohen në mënyra që nuk do ta besonit se do të ishte e mundur. Kthehuni të merrni Trupin dhe Gjakun Tim. Më lejoni Mua t’jua heq dyshimet. Ky është një nga gabimet më të mëdha që kanë bërë Krishterët, duke më mohuar Mua të hyj në shpirtrat e tyre në këtë mënyrë. Kjo e fyen shumë Atin Tim të Përjetshëm për arsye të Sakrificës së bërë për të shpëtuar shpirtrat tuaj. Më lejoni Mua të sjell Dritë dhe ushqim në jetët tuaja. Ju do të jeni më të prirur për ta pranuar të Vërtetën e Mësimeve të Mia pasi të ndodhë Paralajmërimi.
Mbajeni mend çfarë Unë premtova gjatë Darkës Sime të Fundit se kur ju merrni bukën dhe verën ato do të bëhen Trupi Im dhe Gjaku Im.* Çdo interpretim tjetër është shtrembëruar nga logjika dhe arsyeja njerëzore. Tani kuptojeni dhe pranojeni të Vërtetën.
Shpëtimtari juaj i dashur, Jezu Krishti
*Për t’u sqaruar mbi Doktrinën e Transubstansacionit ju lutem referojuni Mesazhit të dhënë të Premten, 1 Qershor 2012, 20:15.
“Kur antikrishti t’i gllabërojë të gjitha fetë e vetmja armë ndaj së cilës ai do të jetë i pafuqishëm është Mesha e Shenjtë dhe Transubstansacioni i bukës dhe verës në Trupin dhe Gjakun Tim, në Eukaristinë e Shenjtë.”

Wednesday, 5 August 2015

Dhimbja Ime është akoma më e madhe sot se sa ishte gjatë Kryqëzimit Tim

E Mërkurë, 13 Prill 2011, në 23:00
Bija Ime e dashur, Unë derdh lot me trishtim të madh sonte për mëkatet e njerëzimit, që janë shtuar me intensitet të madh, ndërsa koha po afron që bota të përkujtojë Mundimin Tim në Kryq. Dhimbja Ime është akoma më e madhe se sa ishte kur Unë u kryqëzova në fillim. Tani Unë po e ri-përjetoj Agoninë që durova, ndërsa mëkatet e njerëzimit e copëtojnë Zemrën Time si një shpatë, që është më e gjatë, më e mprehtë dhe më e dhimbshme. Dëgjojini lutjet e Mia. Dëgjojini thirrjet e Mia. Të gjithë ju, më ngushëlloni Mua në këtë agoni të thellë që Unë e duroj sot. Unë duhet të dëshmoj, çdo ditë, dëshpërimin e thellë, dhimbjen dhe torturën e shkaktuar nga njeriu, mbi njeriun, nga njeriu, mbi fëmijët. Këta vrasës nuk ndjejnë keqardhje, kaq të infektuar janë shpirtrat e tyre të errët nga Satani, mashtruesi. Ai nuk tregon fare keqardhje për asnjërin prej jush, sepse ai nuk ka shpirt. Prapë, njeriu me mendjelehtësi dorëzohet ndaj tundimeve të tij si ndonjë i verbër. Kaq me nënshtrim e lejojnë ata veten të zhyten në këtë errësirë të tmerrshme, sa Unë duhet të mbështetem tek ju besimtarë që të luteni fort për të shpëtuar shpirtra të tillë.
Dhimbja Ime intensifikohet çdo ditë. Mëkati nuk shihet nga njeriu, për atë çfarë është. Në nivelin e tij më bazik ai është një dashuri ndaj vetvetes. Në nivelin më të keq, ai është një dëshirë për të gjitha gjërat që i dëmtojnë të tjerët, përmes pandershmërisë, dhunës, abuzimit dhe vrasjes. Përse njerëzit e bëjnë një sy qorr kur shikojnë mizori të tilla? Ato viktima janë njerëz ashtu si ju. Lutuni fort për këta keqbërës, sepse edhe ata janë viktima. Ata, fëmijët e Mi, kanë rënë në kurth nga mashtruesi, prapë shumë madje nuk e pranojnë se ai ekziston. Koha po afron tani që Fjala Ime me të vërtetë të dëgjohet përsëri në Tokë. Ju lutem, ju lutem t’ia shpjegoni të gjithëve se Mëshira Ime tani ka për t’u dëshmuar mbi Tokë gjatë ngjarjes mistike që do të vijë. Është e rëndësishme t’iu thoni sa më shumë njerëzve të jetë e mundur që t’i kërkojnë Hyjit Atit të Përjetshëm, ta falë secilin dhe çdonjërin prej jush, për mëkatet e kryera në të kaluarën. Bëjeni këtë tani dhe shpejt. Shpëtojini shpirtrat tuaj dhe ata të të tjerëve. Ndërsa konvertimi të vërshojë, disa shpirtra të pafat nuk do t’i mbijetojnë tronditjes. Lutuni, lutuni që ata të mos vdesin në mëkat mortor.
Ju lutem ta kujtoni veten për Mundimin Tim gjatë Kreshmës, duke e konsideruar Sakrificën që Unë e bëra me dëshirë për të gjithë ju me qëllim që të shpëtonit. Pastaj kuptojeni se Paralajmërimi, Ndriçimi i Ndërgjegjes, është Dhurata Ime tjetër e Madhe e Mëshirës për njerëzimin.
Përhapni kthimin në besim ngado. Ndihmoni në mposhtjen e mashtruesit duke lutur Mëshirën Time Hyjnore për të shpëtuar shpirtra. Besoni tek Unë tani dhe më ktheni Mua në zemrat tuaja. Bashkohuni së bashku për ta shpëtuar njerëzimin përmes dashurisë.
Shpëtimtari juaj Hyjnor, Jezu Krishti
Biri i Hyjit Atit të Gjithëpushtetshëm
Krijues dhe Bërës i të gjitha gjërave

Tuesday, 4 August 2015

Miliona Shpirtra do të shpëtojnë përmes këtyre mesazheve

E Enjte, 7 Prill 2011, në 22:00
Bija Ime e dashur, Dhurata e Shpirtit të Shenjtë u dërgua mbi ty sot, së bashku me hire të veçanta Hyjnore. Ti, bija Ime, pasi e ke dorëzuar vullnetin tënd të lirë, tani do të vazhdosh të kryesh Vullnetin Tim Më të Shenjtë. Ti tani do ta kuptosh rëndësinë e bindjes së plotë ndaj Meje, në mendimet, fjalët, veprimet, sjelljen dhe qëndrimin tënd. Ti tani do të ndjekësh udhëzimin Tim dhe do ta kërkosh atë para se ti të kryesh ndonjë veprim në emrin Tim.
Më në fund, ti je gati për të ndjekur udhëzimin Tim. Ty tani të duhet të më përkushtosh Mua të paktën 2 orë në lutje çdo dy ditë. Përveç kësaj, ti duhet të ndjekësh udhëzime nga drejtuesi shpirtëror më i shenjtë i dërguar tek ti nga Qielli. Ai do të flasë ty ashtu si Unë e udhëzoj atë. Bëj pikërisht çfarë ai thotë. Ti duhet të sigurosh që të komunikosh me Mua çdo ditë sepse Unë kam shumë për të të thënë.
Bija Ime, dëgjo vetëm Zërin Tim tani e tutje. Shkruaj vetëm çfarë merr nga Unë. Kurrë mos merr shpjegime rreth këtyre Mesazheve Më të Shenjta nga të tjerët. Ka vetëm një gojë me të cilën Unë komunikoj me ty dhe ajo është e Imja. Më beso Mua, bija Ime. Beso tek Unë plotësisht. Kurrë mos i vër në pyetje këto Mesazhe, sepse Jam Unë që po flas me ty. Gjithmonë ta kujtosh këtë. Tani që ti beson tek Unë, ti do të jesh shumë më e fortë. Më lejo të të siguroj se ti do të jesh tani në gjendje t’i përballosh më me sukses sulmet nga mashtruesi.
Ndjehu e qetë. Dashuria për ty, bija Ime, po vërshon përmes Zemrës Sime, ndërsa përkushtimi dhe dashuria jote për Mua të mbush ty dhe të bën të dobët. Kjo Dashuri e fuqishme është e pastër në gjithë tërësinë e saj dhe nuk mund të krahasohet me ndonjë gjë që ti e ke përjetuar ndonjëherë më parë në këtë botë.
Qielli gëzon me dorëzimin tënd final. Por tani ti duhet ta përgatitësh veten për të ndihmuar miliona shpirtra. Bija Ime, detyra që Unë të kërkoj ty është madhështore në terma njerëzorë. Ti, bija Ime, do të jesh lajmëtarja e volumit më të madh të Fjalës Sime të Shenjtë në botë, me qëllim që bota të përgatitet për Ardhjen Time të Dytë.
Ata, fëmijët e Mi të shtrenjtë të cilët Unë i dua me pasion të thellë përtej dijes tënde, duhet të kthehen tek Zemra Ime Më e Shenjtë përpara se të jetë tepër vonë. Prej teje, bija Ime, pritet që ta përhapësh Fjalën Time tek njerëzimi. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Ti do të vuash për këtë, por ti duhet ta kuptosh se kjo tani është detyra jote ndaj Meje. Ti je e thirrur për të siguruar, që përmes Fjalës nga Buzët e Mia Hyjnore, miliona shpirtra të mund të shpëtohen nga flakët e Ferrit.
Komuniko me Mua tani ashtu si duhet. Unë do të të drejtoj gjatë gjithë kohës. Paqja qoftë me ty, bija Ime. Shpirti Im Më i Shenjtë tani po e vërshon shpirtin tënd. Ti tani je e plot me dashuri dhe gëzim dhe je gati për fazën tjetër të këtij Misioni Hyjnor.
Shpëtimtari juaj
Jezu Krishti

Monday, 3 August 2015

Kurrë mos i gjykoni fetë e tjera, besimet apo preferencat seksuale

E Mërkurë, 6 Prill 2011, në 00:05
Bija Ime e dashur, mundimi që ti po duron është për shkak se mashtruesi vazhdimisht po përpiqet të të tundojë që të heqësh dorë nga kjo Punë më e Shenjtë. Ai po të shkatërron. Pranoje këtë. Kurrë mos e dysho Fjalën Time Hyjnore, pavarësisht se sa e vështirë kjo mund të jetë për ty. Ti do të shpërblehesh me shpirtin e paqes kur ti me të vërtetë të dorëzohesh tek Unë. Vazhdo të ma thuash këtë çdo ditë. Gjatë gjithë ditës dhe më kërko Mua hiret për të të mbushur me gëzim sa herë që mashtruesi të sulmon. Qëndro e fortë, bija Ime. Kurrë mos u dorëzo. Çliroje mendjen nga gjërat e kota dhe përqendrohu tek Mesazhet e Mia për botën. Ato janë Mesazhet më të rëndësishme për njerëzimin sot. Ato po jepen për ta udhëzuar njerëzimin që të gjejë edhe një herë udhën e drejtë drejt Meje.
Njerëzit janë të paqartë me Mësimet e Mia
Shumë njerëz janë të humbur tani. Ata janë të paqartë me Mësimet e Mia dhe prej mënyrave të shumta me të cilat ato janë interpretuar. Të shpëlara. Të ndryshuara. Me pjesë të shtuara. Me pjesë të hequra. Fëmijët e Mi kanë nevojë për drejtim tani, me qëllim që ata të arrijnë të kërkojnë hiret që iu duhen atyre për t’u bërë përsëri të fortë dhe të lehtë në shpirt. Kjo mund të ndodhë vetëm nga lutja dhe duke iu përmbajtur Mësimeve të Mia.
Unë nuk përjashtoj as edhe një shpirt të vetëm në botë
Fëmijët e Mi që janë të konvertuar e dinë këtë dhe afrohen më pranë Zemrës Sime përmes Sakramenteve. Megjithatë, për ata fëmijë të humbur, që enden, ata duhet të fillojnë që nga fillimi dhe ta kujtojnë veten për 10 Urdhërimet e dhëna botës përmes Moisiut. Shumë, shumë fëmijë sot janë të pavetëdijshëm për këto. Unë nuk përjashtoj as edhe një shpirt të vetëm në botë, pavarësisht se cilën fe ata praktikojnë.
Paralajmërim për besimtarët që i përçmojnë besimet e tjera
Nëse besimtarët e Mi e diferencojnë veten dhe e vendosin apo e lartësojnë veten, në kurriz të atyre që janë të pavetëdijshëm për Mësimet e Mia, atëherë ata po sillen ashtu si bënë Farizenjtë. Turp për ata që e konsiderojnë veten mbi ata shpirtra që kanë nevojë për ndriçim. Turp për ata, që, edhe pse janë të vetëdijshëm për të Vërtetën, përbuzin ata me fe të ndryshme; për ata që besojnë se – duke qenë pranë së Vërtetës, dhe duke përfituar nga Sakramentet Më të Shenjta, ata janë më të rëndësishëm në Sytë e Mi. Po, Unë marr kënaqësi dhe gëzim të madh në Zemrën Time nga ata ndjekës të përkushtuar. Por kur ata i dënojnë apo i gjykojnë të tjerët për shkak të besimit të tyre, ata më fyejnë Mua shumë.
Ndjekësit e Mi, hapini sytë ndaj të Vërtetës së Mësimeve të Mia, në nivelin më të thjeshtë. Mos i gjykoni të tjerët. Mos i përçmoni ata që ju besoni të jenë mëkatarë dhe që i refuzojnë Mësimet e Mia, sepse ata janë të barabartë me ju në Sytë e Mi, edhe pse juve ju është dhënë Dhurata e së Vërtetës. Më sjell dëshpërim të madh kur ata ndjekës, edhe pse kanë qëllim të mirë, i urdhërojnë ato shpirtra të gjorë, të humbur se si t’i jetojnë jetët e tyre. Ata e bëjnë këtë në mënyrë të gabuar.
Kurrë mos iu thoni atyre me besim apo preferencë seksuale të ndryshme se janë të dënuar
Të shtyni Mësimet e Mia në një mënyrë ku ju i thoni atyre që nuk janë ndjekës se ata do të dënohen apo do të lëndohen duke i quajtur udhët e tyre si ‘të liga’ thjesht do t’i bëjë ata më të dobët se më parë. Thjesht do t’jua kthejnë shpinën. Atëherë ju do të keni dështuar. Në vend që të bëni leksion, tregoni dhembshuri. Mësojini përmes shembullit. Kurrë mos thoni apo të përpiqeni t’iu thoni këtyre njerëzve se ata janë të dënuar në Sytë e Mi, sepse ata nuk janë.
Unë e dua çdonjërin shpirt, të të gjitha feve, të të gjitha bindjeve, të të gjitha besimeve, të të gjitha preferencave seksuale. Secili është një fëmijë i shtrenjtë, asnjëri më i mirë se tjetri. Ndërsa mëkati gjithmonë do të jetë atje – ju jeni të gjithë mëkatarë mbajeni mend këtë – do të varet nga secili prej jush për t’i ndjekur Mësimet e Mia dhe për ta përhapur Fjalën Time. 
Përqafojeni njëri tjetrin. Tregoni dhembshuri ndaj njëri tjetrit. Mos e përjashtoni asnjërin, pavarësisht nëse janë Katolikë, të grupeve të tjera të Krishtera, Islamikë, Hindu, Hebrenj, Budistë – madje edhe ato kulte të reja, që kanë dalë të cilat nuk besojnë në Hyjin Atin e Përjetshëm. Lutuni për ta. Mësojuni atyre rëndësinë e hapjes së zemrës së tyre ndaj të Vërtetës. Mësojini përmes shembullit. Përhapni kthimin në besim. Por kurrë, mos hidhni gjykime mbi të tjerët, apo të përpiqeni ta diferenconi veten nga ata që nuk e kuptojnë të Vërtetën.
Kurrë mos besoni, se juve ju janë dhënë hiret nga Qielli, prej besnikërisë suaj ndaj Meje, se ju jeni më të mirë se vëllezërit apo motrat tuaja. Po, ju i sillni gëzim Zemrës Sime të Shenjtë, por ju duhet të silleni me të tjerët në një mënyrë të dashur dhe jo diktatoriale.
Asnjë nga ju nuk është i denjë të gjykojë të tjerët
Mbajeni mend këtë mësim. Asnjë nga ju nuk është i denjë të gjykojë apo të përcaktojë të tjerët. Asnjë nuk e ka fuqinë apo Dijen Hyjnore të bëjë ndonjë vlerësim moral për të tjerët. Mbani një mendje të hapur gjithmonë dhe kujtojeni, dita që ju të besoni se jeni më të rëndësishëm në Sytë e Mi nga ata që ju i konsideroni të jenë mëkatarë, është dita që ju bëheni të humbur për Mua. 
Unë nuk do të përjashtoj asnjë besim nga këto Mesazhe
Fjala Ime tani po i jepet si një Dhuratë njerëzimit, secilit dhe çdonjërit prej jush. Përmes këtyre komunikimeve, Unë nuk do të përqendrohem vetëm në një grup të ndjekësve të devotshëm. Për ata prej jush që e kuptojnë të Vërtetën më lejoni Mua t’jua kujtoj. Të gjithë fëmijët e Mi në mbarë botën, sidomos mëkatarët më të ngurtë dhe ata që nuk besojnë në Ekzistencën e Atit Tim të Përjetshëm, Hyjit Krijuesit dhe Bërësit të të gjitha gjërave, janë tani një prioritet. Do të varet nga ju ndjekësit e Mi për t’u lutur shumë fort dhe për të treguar dashuri ndaj atyre që janë të verbër. Por bëjeni këtë në mënyrën që Unë Jam duke jua udhëzuar. Kujtojeni përfundimisht, Unë ju dua të gjithëve.
Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti
Mbreti i gjithë Njerëzimit